Druckversion   

Kolegji Evropian i Përkthyesve në Shtralen


Në Shtralen as mund të mësosh për të përkthyer dhe as të bësh porosi përkthimi, por “vetëm” të përkthesh, veçse kushtet për këtë punë janë ideale. Në Shtralen vijnë nga të gjitha anët e botës përkthyes që kanë kontratë përkthimi me një shtëpi botuese në vendin e tyre. Këtu ata kanë mundësi të shfrytëzojnë mjetet ndihmëse të shumëllojshme, të takojnë kolegë, të punojnë me njëri-tjetrin dhe të këmbejnë libra e përvojë.
 
 
Synimi fillestar ishte të krijohej një vendtakim për përkthyes letrarë, një qendër kozmopolite shkëmbimesh dhe pune të përqendruar, një shtëpi kulturash të shumta e të ndryshme letrare mu në mes të një rajoni kufitar.
 
 
Pothuajse tridhjetë vjet pas projekteve të para, ky synim fillestar është shndërruar çdo ditë e më tepër në një realitet konkret: “Kolegji Evropian i Përkthyesve në Shtralen të Rinit Verior-Vestfalisë”, që u themelua më 1978 nën patronazhin e Samuel Beketit, të Hajnrih Bëlit dhe të Maks Frishit, është qendra e parë dhe më e madhe botërore e punës për përkthyes nga fushat e letërsisë dhe të shkencave shoqërore.
 
 
Qysh nga viti 1978 e këtej, Kolegji Evropian i Përkthyesve në Shtralen ka arritur të zgjerohet në mënyrë të dukshme. Ai ka një sipërfaqe banimi prej më se 2500 metrash katrorë: përveç hapësirave për bibliotekën, sallave të mbledhjeve dhe dy kuzhinave të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme, janë edhe 30 apartamente për të banuar e për të punuar përkthyesit.
 
 
Zemrën e Kolegjit e përbën biblioteka prej 110 000 vëllimesh, ku mysafirët e kësaj shtëpie kanë në dispozicion 25 000 manuale në më se 275 gjuhë e dialekte të ndryshme (që nga Afrikaan e deri në Zulu), 60 000 vëllime nga letërsia botërore – shumica në origjinal e në përkthim – dhe 25 000 vëllime nga fusha të ndryshme të dijes. Kësisoj, biblioteka e Kolegjit është më e madhja bibliotekë në botë për përkthyes letrarë e shkencorë.
 
 
Kolegji ka në gjendje të gatshme pune kompjutera të modeleve më të reja dhe një gamë të gjerë tastierash në gjuhë të huaja. Të gjithë kompjuterat personalë në odeonin e bibliotekës ofrojnë – 365 ditë në vit dhe gjatë njëzet e katër orëve – lidhje të shpejtë me Internetin.
 
 
Në Shtralen vijnë çdo vit më se 750 përkthyes nga të katër anët e botës. Gjatë tërë këtyre viteve, në këtë Kolegj janë përkthyer më se 16 000 vepra të ndryshme.
 
 
Shtraleni është një qytet i vogël e i këndshëm në afërsi të kufirit holandez. Në rrethinat e qytetit kultivohen sidomos lule e perime të ndryshme. Nuk është e rastit që Shtraleni quhet “qyteti i luleve”. Në Gjermani s’ka vend tjetër ku të tregtohen më shumë lule e perime sesa në Shtralen.
 
 
Lutemi që pyetjet tuaja të na i drejtoni në gjermanisht ose në anglisht:
 
 
Europäisches Übersetzer-Kollegium
Kuhstraße 15-19, D-47638 Straelen
Telefon: 0049-2834–1068, Fax: 0049-2834-7544
E-mail:  euk.straelen(at)t-online.de  
 
 
Ins Albanische übersetzt von Aristidh Ristani